Secondary Adv

Greqia shpall paketë financiare prej 1.6 mld euro për të frenuar rënien e popullsisë

Qeveria do të përdorë lehtësi tatimore dhe stimuj të tjerë financiarë për të inkurajuar lindjet.

Greqia shpall masa drastike, përfshirë lehtësi tatimore dhe stimuj financiarë, për të frenuar rënien e popullsisë që rrezikon ta kthejë vendin në kombin më të vjetër të Evropës.

 

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se paketa e ndihmës prej 1.6 miliardë eurosh u diktua nga një prej sfidave më të mëdha që përballet vendi mesdhetar: një krizë demografike me përmasa të paprecedenta.

 

“E dimë që kostoja e jetesës është një gjë kur nuk ke fëmijë dhe një tjetër kur ke dy apo tre fëmijë. Prandaj, si shtet duhet të gjejmë mënyra për të shpërblyer qytetarët që zgjedhin të bëhen prindër,” tha Mitsotakis të dielën, pas shpalljes së masave.

 

Më të rëndësishmet prej tyre përfshijnë uljen me dy pikë përqindje të tatimit në të gjitha shkallët dhe normë zero për familjet me të ardhura të ulëta që kanë katër fëmijë. Masat do të hyjnë në fuqi në vitin 2026.

 

Mitsotakis e cilësoi këtë paketë si reformën më të guximshme tatimore të zbatuar në Greqi në më shumë se 50 vjet.

 

Politikat e reja ndërtohen mbi iniciativa të tjera të ndërmarra nga qeveria qendrore-djathtas për të përballuar këtë problem.

 

Me normën e fertilitetit ndër më të ulëtat në Evropë – 1.4 fëmijë për çdo grua, shumë më poshtë se niveli i zëvendësimit prej 2.1 – Mitsotakis e ka cilësuar këtë çështje si një “kërcënim kombëtar”.

 

Sipas Eurostat, popullsia e Greqisë pritet të bjerë nga 10.2 milionë banorë aktualisht në më pak se 8 milionë deri në vitin 2050, ndërkohë që 36% e saj do të jenë mbi moshën 65 vjeç.

 

Duke pranuar se rënia ka marrë përmasa ekzistenciale, ministri i Financave Kyriakos Pierrakakis tha se normat e lindshmërisë janë përgjysmuar që nga fillimi i krizës ekonomike, 15 vjet më parë.

 

“Reforma jonë tatimore do t’i kushtojë vëmendje të veçantë këtij problemi … si drejtues i ekipit ekonomik, do të thoja se prioriteti ynë kryesor është çështja demografike,” theksoi ai.

 

Kriza gati dhjetëvjeçare e Greqisë është fajësuar gjerësisht për këtë rënie alarmante. Një nga arsyet është se të rinjtë u prekën më rëndë nga masat e shtrënguara të kursimit, të vendosura në këmbim të fondeve ndërkombëtare të shpëtimit që e mbajtën vendin larg falimentimit dhe e siguruan që Athina e zhytur në borxhe të qëndronte në BE.

 

Më shumë se 500 mijë grekë u larguan jashtë vendit në kërkim të punës gjatë krizës – një eksod kryesisht i të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar, që qeveria po përpiqet ta kthejë mbrapsht.

 

Masat e fundit, të cilat përfshijnë heqjen e detyrimeve tatimore për ata që jetojnë në vendbanime rurale me më pak se 1,500 banorë, do të financohen nga tepricat buxhetore që janë krijuar pas rimëkëmbjes së ekonomisë.

 

Zyrtarët thonë se rënia e normave të lindshmërisë po e vë sistemin e pensioneve dhe atë shëndetësor, si edhe tregun e punës dhe sigurinë kombëtare, në një rrezik të paprecedentë, në një kohë pasigurie gjeopolitike.

 

Duke ngritur alarmin, revista mjekësore britanike The Lancet paralajmëroi se ndryshimet demografike me përmasa kaq radikale përbëjnë një kërcënim të brendshëm për sistemin shëndetësor të vendit, përveç presioneve socio-ekonomike dhe paparashikueshmërisë së krizës klimatike.

“Greqia përballet me një gamë të ndërlikuar sfidash të shëndetit publik, të nxitura nga ndryshimet demografike,” thuhet në një studim të publikuar javën e kaluar. “Rasti grek ofron mësime të vlefshme për vendet e tjera që përballen me presione të ngjashme.”

 

Në vitin 2020 – një vit pasi fitoi për herë të parë zgjedhjet – qeveria Mitsotakis prezantoi një “bonus për lindjet” për të nxitur shtimin e natalitetit. Subvencioni ka kaluar nga 1,700 euro për fëmijën e parë në 3,500 euro për të katërtin, përveç një ndihme mujore deri në 140 euro për fëmijë.

 

Megjithatë, ndërsa kostoja e jetesës rritet ndjeshëm në një vend me disa nga pagat më të ulëta në BE, politikat kanë dhënë pak efekt. Ministria e Arsimit njoftoi këtë muaj se kishte mbyllur më shumë se 700 shkolla në të gjithë vendin, për shkak të mungesës së nxënësve.

 

Me popullaritetin e qeverisë së tij të dëmtuar nga akuzat për korrupsion dhe shqetësimet për koston e lartë të jetesës, Mitsotakis premtoi rritje pensionet dhe strehim të përballueshëm, duke ndërtuar banesa në pronat e braktisura ushtarake.

 

Gjithashtu, do të hiqet taksa mbi pasuritë e paluajtshme në zonat e thella për të inkurajuar të rinjtë të zhvendosen në fshat, ku çmimet janë shumë më të ulëta se në qytete. Strehimi i papërballueshëm është bërë aq problematik, sa shumë të rinj grekë ankohen se detyrohen të jetojnë me prindërit deri në moshën 30-vjeçare – një tjetër arsye e përmendur për mungesën e interesit për të krijuar familje./ The Guardian


Më të lexuarat